Serena Uilliams ka arritur të fitojë turneun e Uimbëlldon për herën e 5-të në karrierën e saj, duke barazuar rekordin e trofeve në turneun anglez që mbahej nga motra e saj Venus. Tenistja amerikane ka shpërthyer në lot në fushën qendrore pasi arriti të fitonte përballë Agnieszka Radvanska.
Ky ishte suksesi i 14-të në një Grand Slam për Serena Uilliams, por i pari që pas triumfit të dy viteve më parë pikërisht në të njëjtën fushë. Një javë pas atij sukses, ajo shkeli në një copë qelqi në Mynih dhe filloi një kalvar i gjatë me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore që i rrezikoi edhe jetën për shkak të komplikimeve.
Pas suksesit në tre sete 6-1, 5-7 dhe 6-2, emocionet pas dy vitesh vuajtje ishin mëse të kuptueshme. “Nuk mund ta përshkruaj këtë emocion. Për pak nuk ia dola mbanë kur isha në spital, por ja ku jam duke festuar përsëri”, tha ajo me zërin që i dridhej përballë publikut që i dhuroi një duartrokitje të gjatë.
Ndërkohë, edhe kundërshtarja e saj, për herë të parë në një finale Grand Slam, ka zbuluar se ka patur probleme me frymëmarrjen gjatë turneut dhe fakti që shumë ndeshje janë luajtur me ndërprerje nga shiu dhe lagështira nuk është se e ka ndihmua për të përballuar një nga tenistet më të forta fizikisht në qarkullim. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 18:34