Zdenek Zeman ka filluar aventurën e tij të re me Romën duke shfaqur metodat e tij të hekurta të stërvitjes dhe idetë e tij për lojën ofensive të skuadrës.
“Punë e lodhshme? Për mua këto janë vetëm ecje të gjata në pyll! Jemi këtu për të përgatitur një sezon të tërë, është normale që do të lodhesh. Ne të kundërt do të kishim shkuar të gjithë në një fshat turistik. Ka lojtarë që i përballojnë më mirë këto stërvitje, ka të tjerë që nuk e bëjnë”, tha ai.
Trajneri çek nuk ngurron të thumbojë armiqtë e përjetshëm të Juventusit, të cilët i ka akuzuar se i kanë shkatërruar karrierën dhe se gjithmonë kanë mashtruar për të fituar titujt e tyre.
“Ylli i tretë i Juventusit? Pasi kemi parë letrat në tavolinë mendoj se edhe 28 tituj janë shumë për këtë skuadër”, ishte komenti i tij duke iu referuar iniciativës së bardhezinjte që pretendojnë se kanë 30 tituj kampion.
Më pas, Zeman nuk ka fshehur ambiciet për të ngjitur përsëri Romën në majën e klasifikimit dhe për të luftuar për trofe.
“Dua që të konkurrojmë e të luajmë ndaj të tjerëve për të bërë rezultat, pa patur rëndësi ndaj kujt luhet: Interit, Milanit, Juves apo Peskarës. Unë dua që skuadra të konkurrojë dhe pastaj do të shihet se ku mund të mbërrijë. Kur fillon kampionati, të gjithë kanë zero pikë, zero gola të shënuar e zero gola të pësuar”, shpjegoi teorinë e tij trajneri i Romës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 18:16