Havier Zaneti ka filluar dje sezonin e tij të 18-të me fanellën e Interit, si askush tjetër më parë te klubi zikaltër dhe për këtë arsye, argjentinasi është njeriu që gazetarët kanë kërkuar me ngulm për të shkëputur një deklaratë rreth këtij fillimi “të ri” të skuadrës e cila po largon disa nga veteranët duke u besuar të rinjve.
“Unë si gjithmonë do të jem në dispozicion të skuadrës dhe të klubit. Nuk e di nëse ky do të jetë sezoni im i fundit në futbollin e luajtur, por sigurisht që Interi është klubi ku do e mbyll karrierën”.
“E fillojmë këtë grumbullim me shumë entuziazëm. Çdo vit, fillimi i përgatitjeve është ndryshe, por këtë radhë pak më shumë, pasi nuk kemi disa lojtarë të mirë me vete, por na janë bashkuar disa të rinj po aq të mirë”, tha kapiteni i Interit duke iu referuar largimeve të shumta nga radhët e zikaltërve.
“Stramaçioni? Trajneri ka personalitet dhe ide shumë të qarta, të cilat po përpiqet t’ia kalojë ekipit. Është në dorën tonë që t’i vëmë në zbatim”, deklaroi Zaneti.
Por gjithçka nuk ka shkuar mirë në ditën e parë të stërvitjes, pasi një grup tifozësh ka protestuar kundër klubit për shitjen e mundshme të portierit brazilian Hulio Cesar. Në muret rrethuese të klubit u vendosën një seri parullash kundër drejtuesve, të cilët sipas tifozëve, po mendojnë më shumë të kursejnë para se të ndërtojnë një skuadër pretendente. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 11:40