Marcelo Bielsa do të vazhdojë të jetë trajneri i Atletik Bilbos, të paktën për momentin. Trajneri argjentinas ka vendosur të japë dorëheqjen pas polemikave me kompaninë që po rindërton ambiente te e klubit, por ajo nuk është pranuar nga drejtuesit e Atletik Bilbaos.
Ndonëse klubi ka kritikuar publikisht Bielsën për fjalët që ka thënë kundër kompanisë së ndërtimit, ata kanë vendosur që brenda dy javëve të ardhshme, palët të ulen dhe të shohin me qetësi zgjidhjen e këtij konflikti që ka lindur. Nëse nuk është e mundur, atëherë Bielsa do të largohet përfundimisht nga drejtimi i klubit bask.
Bielsa çuditi të gjithë duke akuzuar dy ditë më parë për mungesë profesionalizmi dhe për mashtrim kompaninë që po rindërtonte ambientet e klubit, duke sjellë pështjellim në radhët e Atletik Bilbaos. Si rrjedhojë, dje erdhi një komunikatë për shtyp e publikuar në faqen zyrtare të internetit të Bilbaos, ku përgënjeshtroheshin fjalët e trajnerit dhe kompania në fjalë cilësohej si shumë prestigjioze dhe korrekte në të gjitha punimet që po kryente.
Kjo ishte arsyeja pse Bielsa dhe stafi i tij kërkuan të largoheshin nga drejtimi i Bilbao, klubi që tekniku argjentinas arriti të çonte deri në finalen e Kupës së Mbretit dhe Europa League. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 10:01