Roxher Federer ka arritur të fitojë gjysmëfinalen e Uimbëlldon më të ndjekur të viteve të fundit, duke arritur të mundë kampionin në fuqi Novak Xhokoviç, për të siguruar pjesëmarrjen për herë të 8-të në finalen e turneut anglez
Ndeshja mes dy tenistëve ka qenë spektakolare dhe ka zgjatur 2 orë e 19 minuta, me zviceranin që ka treguar se bari vazhdon të jetë fusha e tij e preferuar, duke triumfuar ndaj kundërshtarit në 4 sete: 6-3, 3-6, 6-4 dhe 6-3.
Fedrer ka triumfuar me eksperiencë, duke lënë pas krahëve si problemet fizike, ashtu edhe ato të formës, që e panë shumë pranë eliminimit në turin e tretë të turneut në fjalë.
Por suksesi ndaj Xhokoviç ka patur një shije shumë të ëmbël, pasi finalja i mungonte prej 3 vitesh zviceranit, ndërsa i ka dhënë mundësinë atij që në rast suksesi ndaj fituesit të duelit Marrei-Tsonga, të rrëmbejë edhe vendin e parë në renditjen botërore, që aktualisht mbahet nga serbi.
Për më tepër, Federer luan edhe për të shkruar emrin në histori, duke kërkuar fitoren e 7-të në karrierë në këtë turne, po aq sa legjendari Pit Sampras, me objektivin që një ditë të kalojë amerikanin. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 16:24