Andoni Zubizarreta ka deklaruar se Barcelona nuk ka ndër mend të shesë Seidu Keita pavarësisht ofertave që ka marrë për lojtarin nga Mali.
Kontrata e mesfushorit përfundon në vitin 2014, por katalanasit shpresojnë që ai të vendosë të qëndrojë në skuadër dhe për më tepër të rinovojë kontratën ekzistuese.
“Po flasim rreth një lojtari të cilin e vlerësojmë maksimalisht”, u shpreh Zubizarreta që është drejtori sportiv i ekipit katalanas. “Ne e duam në skuadër, ia kemi thënë një gjë të tillë dhe shpresojmë që ai të thotë po. Dëshira jonë është që ai të jetë te ne me datë 16 korrik kur fillon grumbullimi”.
Për Keita ka patur një interesim të jashtëzakonshëm nga klube në Angli e Itali, të cilat pyesin vazhdimisht nëse lojtari do të largohet nga katalanasit. Futbollisti ka qenë një mik i ngushtë me Guardiolën dhe me largimin e trajnerit mendohej se edhe ai do të zgjidhte një të ardhme larg “Kamp Nou”.
Por mesa duket, edhe Vilanova shpreson të ketë në dispozicion shërbimet e lojtarit që në vitet e fundit është kthyer në një alternativë të parë për mesfushën e katalanasve duke zëvendësuar Buskets, Ksavi apo edhe Iniesta në pozicionet e tyre. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 14:10