Ylli i Mançester Sitit, David Silva, ka injoruar interesimin e Real Madrid dhe është gati të nënshkruajë një kontratë të re me klubin e tij aktual. Futbollisti që ndihmoi Spanjën të ruante titullin Kampion Evrope në Euro 2012, ka edhe 2 vite të mbetura në kontratën ekzistuese, por pritet që ai tashmë të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me vlerën e 52 milion paund.
Lojtari 26 vjeçar e quan veten të lumtur me zgjedhjen që ka bërë duke iu bashkuar kësaj skuadre nga Valencia në vitin 2010.
“Shtëpia ime tani është Mançester Siti dhe jam tërësisht i kënaqur këtu. Nuk e kam mendjen te Real Madrid por te Mançester Siti. Jam i lumtur për eksperiencën këtu pasi jam përmirësuar si lojtar dhe nuk e dija që mund të luaja në këto nivele kur u largova nga Valencia”.
Lojtari pret që klubi të vazhdojë përforcimin për sezonin e ardhshëm ku përveç titullit kampion në Angli, do të kërkohet edhe suksesi evropian.
“Klubi po përgatit oferta për lojtarë në mënyrë që të përmirësojë skuadrën. Projekti jonë do të jetë shumë ambicioz”, ishin fjalët e lojtarit. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 13:20