Montreal Impakt ka shtuar koloninë e veteranëve të futbollit italian duke firmosur me Alesandro Nestën deri në fundin e këtij sezoni.
Klubi që merr pjesë në MLS bëri të ditur të enjten se kishte gjetur akordin me lojtarin 36 vjeçar që ka fituar Kupën e Botës me Italinë në vitin 2006 dhe pret vetëm që ai të marrë certifikatën e transferimit ndërkombëtar për të plotësuar lëvizjen e tij të ky klub.
Nuk janë bërë të ditur detajet financiare të kësaj marrëveshje por Nesta nuk do të jetë një nga tre lojtarët që paguhen më shumë se tavani i vendosur nga MLS për pagat e futbollistëve.
“Jam shumë i lumtur që gjendem këtu. Megjithëse kisha disa oferta për të vazhduar karrierën në Evropë, dëshiroja një sfidë të re dhe të luaja në MLS. Pasi vizitova mikun tim Di Vaio për ta ndjekur në ndeshjen e tij të parë me Montreal, takova njerëz të shkëlqyer në këtë klub. Më pëlqeu ajo çfarë pashë dhe u binda se Montreal ishte vendi ku dëshiroja të vazhdoja karrierën time”, tha lojtari.
Di Vaio, ish-shok skuadre i Nestës te Lacio, debutoi për ekipin kanadez gjatë ndeshjes së javës së kaluar kundër Torontos. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 09:20