Tirana ka qenë skuadra e vetme e kampionatit shqiptar që ka arritur të fitojë në ndeshjen e saj të Europa League, duke qenë pranë kalimit në turin tjetër të këtij aktiviteti. Bardheblutë e drejtuar nga spanjolli Rubio kanë triumfuar pa probleme 2-0 përballë ekipit Grevenmaher të Luksemburgut, ndërsa kanë treguar epërsi të dukshme në krahasim me kundërshtarët.
Përballë tifozerisë së vet, Tirana ka dominuar që në minutat e para të sfidës, duke krijuar shumë raste për shënim përballë ekipit kundërshtar që rreshtohet në mbrojtje për të evituar goleadën. Dy golat e kësaj sfidë vijnë në fundin e pjesës së parë ku fillimisht Muçollari e më pas Ferraj arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës duke i dhënë suksesin skuadrës kryeqytetase. Duke parë cilësinë e kundërshtarit, duket se edhe ndeshja kthimit në Luksemburg do të jetë një formalitet për bardheblutë të cilët do të mendojnë më shumë për harmonizimin e lojës së ekipit para sfidës së turit të dytë.
Një humbje zhgënjyese 1-0 në shtëpi përballë Honved mund të mbyllë para kohe eksperiencën evropiane të Flamurtarit në këtë sezon, ndonëse vlonjatët janë ekipi që ka lëvizur më shumë në merkato gjatë verës duke afruar emra të rëndësishëm, mes të cilëve edhe Migen Memellin. Ndonëse skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça ka dominuar në lojë përballë ekipit hungarez, ka pësuar një gol të evitueshëm në minutën e parë të pjesës së dytë dhe i jep kundërshtarëve më shumë qetësi në ndeshjen e kthimit.
Ndërkohë, Teuta thuajse është eliminuar nga Europa League pas humbjes 3-0 në shtëpi përballë gjeorgjianëve të Metalurg Rustavi. Ekipi mik nuk është se ka dominuar përballë nënkampionëve, por është treguar shumë më cinik para porte duke shfrytëzuar rastet që i shfaqeshin, ndërsa ka vulosur fitoren me tre gola në fundin e ndeshjes, të shënuar në minutat 77, 84 dhe 92. Si rrjedhojë, takimi i kthimit pritet të jetë vetëm një formalitet për skuadrën durrsake, e cila ka aktivizuar mjaft lojtarë të rinj në këtë sfidë, duke menduar më shumë për kampionatin. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 July 2012 21:55