Los Anxhelos Leikërs kanë bërë lëvizjen më të bujshme të merkatos duke marrë nga Feniks organizatorin Stiv Nesh, një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij në NBA.
Lojtari ka nënshkruar për tre vitet ardhshme me ekipin kalifornian, nga e cila do të përfitojë 27 milionë dollarë, ndërsa te Feniks do të shkojnë 4 lojtarë të përzgjedhur nga drafti në 3 sezonet e ardhshme, së bashku me 3 milion dollarë.
Nju Jork, Toronto dhe Dallas kërkonin basketbollistin, por ia refuzoi edhe më shumë para (36 milion dollarë nga Toronto), në mënyrë që të luante përkrah Kobi Brajant dhe të kishte mundësinë të luftonte për titullin kampion në NBA.
Basketbollisti 38 vjeçar, ka qenë shumë pranë lamtumirës në fundin e sezonit 2011-2012, por ai u kërkua menjëherë nga 10 skuadra të ndryshme dhe kuptoi se mund të ishte i vlefshëm me eksperiencën e tij. Menaxheri i tij ka pranuar se një nga arsyet më të forta që e shty drejt LA Leikërs ishte mundësia për të qenë pranë fëmijëve të tij, pasi kanadezi është i divorcuar dhe ka dy vajza dhe një djalë nga martesa e tij.
“Vendimi erdhi sepse kështu është vetëm një orë me makinë larg fëmijëve të tij. Nuk e kam parë ndonjëherë më të lumtur vetëm nga ky fakt”, tregoi menaxheri i Nesh, që ka fituar dy herë trofeun MVP (2005, 2006) dhe ka qenë 8 herë pjesëmarrës në All Star Game. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 July 2012 11:40