Oskar Pistorius do të shkruajë historinë e sportit botëror duke marrë pjesë si përfaqësues i Afrikës së Jugut në Londër 2012, por jo vetëm në garat për atletët paralimpikë. Atleti të cilit i mungojnë të dy gjymtyrët e poshtme dhe i ka zëvendësuar me proteza në fibër karboni, do të marrë pjesë në garën e 400 metrave dhe në stafetën 4 x 400.
Pistorius, që do të marrë pjesë edhe në Lojërat Paralimpike, u emërua sot mes 13 atletëve të Afrikës së Jugut nga Komiteti Olimpik i këtij vendi. Ai ka dhënë kohën më të mirë të sezonit në Afrikën e Jugut në garën e 400 metrave kur arriti normën olimpike me kohën 45.20 sekonda në mars në Pretoria. Ai nuk e ka arritur më këtë kohë në aktivitete ndërkombëtare, siç kërkohej nga federata vendase. Edhe në Kampionatin Afrikan që u zhvillua të premten e kaluar në Benin, ai arriti të dhuronte kohën 45.52, që e nxori në vendin e dytë, por që u cilësua e mjaftueshme nga Afrika e Jugut që ai të përfaqësonte këtë vend.
“Sot është padyshim një nga ditët më të lumtura të jetës sime! Do të jem në Londër 2012 si për Lojërat Olimpike, ashtu edhe për ato Paralimpike!”, ishte mesazhi që Pistorius shkroi në adresën e tij në Twitter.
“Jam shumë i lumtur që gjithë këto vite punë, vendosmëri dhe sakrificë u vlerësuan. Kam arritur dy herë standardin olimpik në 12 muajt e fundit dhe me kohën e dhënë në Kampionatin Afrikan, jam i ndërgjegjshëm që forma ime është në rritje dhe do të jap maksimumin në Olimpiadë”.
Ndërkohë, Komiteti Olimpik i Afrikës së Jugut bëri të ditur se atleti ishte përzgjedhur për shkak të aftësive të tij dhe jo sepse ishte sportisti paralimpik më i famshëm në botë. Pistorius ka hyrë në histori duke marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Atletikës në vitin 20111 në Daegu, ku ishte pjesë e stafetës 4 x 400, por nuk mori pjesë në finale ku Afrika e Jugut siguroi medaljen e argjendtë. Ai nuk u lejua të merrte pjesë në Lojërat Olimpike 2008, një vendim që më pas e përmbysi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 19:30