Spanja duket se kërkon që këtë vit të realizojë një tjetër sukses në futbollin ndërkombëtar, duke synuar fitoren e medaljes së artë në Lojërat Olimpike Londër 2012. Mesazhi i qartë vjen nga fakti se lista e spanjollëve është e mbushur me emra VIP, ku bien në sy tre futbollistë të cilët sapo janë shpallur Kampionë Evrope me përfaqësuesen spanjolle.
Në listën prej 22 emrash të shpallur nga trajneri Luis Milla, bie në sy fillimisht grumbullimi i Zhordi Alba, një prej zbulimeve të përfaqësueses spanjolle në Euro 2012, ku ka shkëlqyer si mbrojtës i majtë dhe ka arritur edhe të shënojë një gol në finalen kundër Italisë.
Dy kampionët e tjerë të Evropës janë Huan Mata, edhe ai autori një goli në finale, si dhe mbrojtësi Havi Martinez, i cili ka luajtur pak minuta në sfidën me Irlandën.
Me sa duket, këta futbollistë kanë qenë dakord që më përpara me idenë për të veshur fanellën e Spanjës në Lojërat Olimpike edhe pse ka dyshime të mëdha për praninë e Alba, i cili ka qenë titullar në të 6 ndeshjet e luajtura në Euro 2012. Lista përfundimtare prej 18 emrash do të publikohet të premten. (LajmeShqip.com)
Lista paraprake olimpike e Spanjës
Portierë: David De Gea (Mançester Junajtid), Xhoel Robles (Atletiko Madrid), Diego Marimno (Vijareal).
Mbrojtës: Cesar Azpilikueta (Olimpik Marsejë), Zhordi Alba (Barcelona), Havi Martínez (Atletik Bilbao), Alvaro Dominguez (Borusia Mynshengladbah), Martin Montoja (Barcelona), Alberto Botia (Sporting Gijon), Mikel San Hoze (Atletik Bilbao), Inigo Martínez (Real Sociedad).
Mesfushorë: Tiago Alkantara (Barcelona), Ander Herrera (Atletik Bilbao), Koke (Atletiko Madrid), Oriol Romeu (Çelsi), Isko (Malaga), Huan Mata (Çelsi), Iker Muniain (Atletik Bilbao).
Sulmues: Adrian Lopez (Atletiko Madrid), Alvaro Vaskez (Espanjol), Kristian Tejo (Barcelona), Rodrigo (Benfika).
Tuesday, 03 July 2012 16:01