Pilotja e testeve të skuadrës së Formula 1, Marusia, Maria De Vijota, ka marrë “dëmtime më rrezik për jetën”, pasi ka pësuar një aksident në testet që po zhvilloheshin në Kembrixhshair para Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe në Silverston.
Spanjollja 32 vjeçare po zhvillonte testimet e saj të para me makinën e Formula 1, kur u përplas me një kamion që gjendej i parkuar pranë pistës, në momentin kur ajo sapo kishte përfunduar xhiron e nxehjes.
Sipas dëshmitarëve okularë, aksidenti ndodhi pasi De Vijota u ndal para mekanikëve të saj në fundin e xhiros së parë të ditës. Sapo ata po i afroheshin veturës për të futur në bokse, ajo eci përpara me shpejtësi dhe u përplas me një kamion që ishte i ndalur pranë pistës.
Pjesa e përparme e makinës u shkatërrua plotësisht ndërsa është parë se De Vijota ka përplasur kokën në anën e kamionit. Ajo ka mbetur pa lëvizur për rreth 15 minuta, ndërsa doktorët e ndërhyrjes së shpejtë po e nxirrnin nga makina. Gjithsesi, raportohet se është parë të lëvizë duart para se ta hipnin në ambulancë.
Por situata e saj mbetet kritike për jetën, sipas asaj që deklarojnë vetë zëdhënësit e spitalit ku është dërguar pilotja spanjolle. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 15:01