Majkëll Felps ka bërë të ditur se do të tentojë fitoren e 7 medaljeve të arta në Londër 2012. Notari amerikan vendosi që të hiqte dorë nga gara e 200 metra stil i lirë, ndërsa tani do të garojë në 100 metra dhe 200 metra flutur, 200 metra dhe 400 metra i kombinuar, si dhe 3 stafeta.
Amerikani u kualifikua në 8 gara, ashtu si në Athinë 2004 dhe Pekin 2008. Por trajneri i tij bëri të ditur se garën e 200 metrave e kishte hequr nga axhenda e tij, ndoshta edhe për faktin se në këtë garë ai është mundur në dy kampionatet e fundit botërorë.
Felps mban rekordin për më shumë medalje të arta në një Olimpiadë të vetme (8), të siguruar në Pekin 2008, ashtu si edhe numrin më të madh të medaljeve të arta në histori (14). Por ai ka ende rekorde të tjera për të thyer.
Atij i nevojiten vetëm 3 medalje të tjera, të çfarëdo lloji, për të kaluar numrin 18 që mbahet nga ish-gjimnastja ruse, Larisa Latinina. Nëse ai arrin podiumin në secilën nga katër garat individuale, ai do të barazojë rekordin e Latinina me 14 medalje individuale.
Nëse Felps fiton medaljen e artë në cilëndo garë individuale, bëhet notari i parë mashkull që arrin të përsëritë veten në 3 Olimpiada të ndryshme. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 13:20