Ish-portieri i Gjermanisë, Oliver Kahn, ka kritikuar ekipin kombëtar për mënyrën se si është larguar në gjysmëfinalet e Euro 2012. Skuadra e Joakim Lëv u mund 2-1 nga Italia dhe sipas Kahn, lojtarët u treguan shumë naivë në këtë ndeshje të rëndësishme.
“U çudita nga eliminimi, sidomos për rreshtimin taktik të ekipit. Nuk kuptoj pse u përqendruam kaq shumë te kundërshtarët dhe jo te loja jonë. Ajo që më çuditi më shumë ishte loja e futbollistëve tanë në veçanti. Kur shkuam në disavantazh 1-0 apo 2-0 dukej sikur nuk kishte plan B. Lojtarët dukeshin sikur nuk ishin në gjendje të ktheheshin në ndeshje”.
“Nuk mund të bësh gabime individuale në një nivel kaq të lartë. Kërkohet më shumë përqendrim në këto nivele. Lojtarët e klasit botëror të ndëshkojnë kur bëhen gabime të rënda. Te dy golat e Italisë, Humels dhe Lahm ishin shumë të avancuar”.
Sipas tij, Gjermania ka humbur shpirtin luftarak që e karakterizonte dhe kjo është arsyeja pse ajo vazhdon të mundet në ndeshjet e mëdha.
“Vlerat qendrore të lojës, që na kanë dalluar në vite, tani kanë humbur. Por ky është identiteti ynë. Ato shihen si antike, të vjetra, por vetëm falë këtyre vlerave vinte një vetëbesim që ishte mbi gjithë të tjerët. Tani njerëzit preferojnë shprehje moderne si “9 e fshehtë” apo “mbrojtës me krahë të ndryshuar”. Por harrohet që çdo skemë përshtatet në bazë të lojtarëve që ke në dispozicion. Kur fillon beteja, vjen një kohë në futboll kur mbizotëron dëshira, pasoni, disiplina, agresiviteti dhe në disa raste edhe loja e pistë”, tha ish-portieri legjendar i Gjermanisë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 12:30