Milani ka blinduar Tiago Silvën, duke e hequr përfundimisht nga merkato. Kuqezinjtë kanë bërë gjithçka ashtu siç duhej, duke rinovuar kontratën deri në vitin 2017 me mbrojtësin dhe duke i rritur rrogën në 6 milionë euro në vit.
“AC Milan komunikon zgjatjen deri më 30.06.2017 të kontratës ekonomike me futbollistin Tiago Silva”, ishte lajmërimi që u shfaq në faqen zyrtare të klubit. Kuptohet që Milan është detyruar të bëjë një tjetër sakrificë të rëndësishme ekonomike për të mbajtur atë që cilësohet mbrojtësi më i mirë në botë.
Zgjatja e kontratës ka ardhur vetëm pak ditë pasi Milani refuzoi ofertën e PSZH, që ofronte 46 milionë euro për futbollistin, të cilit i ofrohej edhe një rrogë prej rreth 9 milionë eurosh në vit nëse do të transferohej në Paris.
Si rrjedhojë e kësaj oferte, është dashur që Milani të përmirësojë kontratën ekzistuese të lojtarit, duke e çuar rrogën e tij nga 3.5 milionë euro në sezon, në 6 milion euro në sezon, ndërsa ai do të ketë rritje të tjera në formën e bonuseve nëse arrihet fitorja e trofeve të ndryshëm gjatë këtyre viteve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 09:20