E ardhmja e Didier Deshamp mbështillet nga misteri. Trajneri ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij te skuadra e Olimpik Marsejës dhe shumëkush mendonte se do të ishte ai zëvendësuesi i Blank në stolin e përfaqësueses franceze.
Por Radio “RMC-Sport” ka përgënjeshtruar menjëherë gjithçka, duke bërë të ditur se ish-mesfushori i Francës kishte refuzuar ofertën që i bëhej nga Federata Franceze e Futbollit.
Sipas kësaj radioje, Deshamp është kontaktuar nga zëvendëspresidenti i Federatës, Gai Stefan, por ka refuzuar menjëherë “për motive personale”. Arsyeja në të vërtetë është se ai nuk dëshiron të zërë vendin e ish-shokut të kombëtares, Loran Blank, sidomos duke parë mënyrën se si është larguar nga puna ky i fundit, për shkak të reduktimit të stafit dhe pagesave.
Tani mbetet për të parë se si do të veprojë në të ardhmen Deshamp dhe cili do të jetë synimi i tij, pasi pritej që ai të merrte drejtimin e një kombëtareje apo një skuadre të njohur.
Ndërkohë, Olimpik Marseja është vënë në lëvizje dhe sipas asaj që raportohet në shtyp, italiani Fabricio Ravaneli është kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 08:40