Paris Sent Zhërmen do të zyrtarizojë shumë shpejt një ofertë prej 8 milion paund për kapitenin e Çelsit, Xhon Terri. Ndonëse ky i fundit ka kaluar një sezon me shumë probleme në klub, ai bëri një paraqitje të mirë me Anglinë në Euro 2012 dhe si rrjedhojë ka zgjuar interesimin e klubit parisien.
Karlo Ançeloti, ish-trajneri i tij te Çelsi, ka bërë të qartë se do ta dëshironte futbollistin në skuadër, pasi tentativa e tij për të blerë brazilianin Tiago Silva nga Milani dështoi. Klubi parisien nuk do ta kishte problem të paguante rrogën prej 160 mijë paund në javë që përfiton aktualisht lojtari te klubi anglez.
Ndërkohë, blutë po mendojnë edhe për përforcime, duke i vënë syrin mesfushorit të Arsenalit dhe përfaqësueses angleze, Teo Uollkot. Lojtari 23 vjeçar ka vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij dhe diskutimet për rinovim me “topçinjtë” nuk kanë ecur në mënyrën e pritur.
Por edhe PSZH është në gjurmët e lojtarit, ndërsa mund të vendosë t’i hapë rrugë Çelsit nëse londinezët do t’i shesin Terrin. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 July 2012 13:20