Johan Krujf ka treguar se dëshiron të shohë përsëri Frenk Rajkard në stolin e përfaqësueses holandeze të futbollit, duke shpresuar që ky i fundit të udhëheqë kombëtaren drejt Brazil 2014.
“Rajkard ka treguar se ai guxon të bëjë ndryshime drastike kur është nevojshme. Holandezët duhet të rifillojnë nga e para, me një staf të ri dhe ndryshime në skuadër. Mendoj se tani duhet të ketë një përzierje mes lojtarëve aktualë dhe emrave të rinj”.
“Ky proces përfshin shumë punë, që duhet kryer nga dikush që është i mësuar në këtë nivel, duke përfshirë edhe marrjen e vendimeve të dhimbshme. Duhet që trajneri të jetë i respektuar. Ndonëse nuk kam bërë një studim të mirëfilltë kandidatësh, emri i parë që më vjen në mendje është Rajkard. Ai do të ishte një zgjedhje e mirë”, tha Krujf për ish-trajnerin e Barcelonës, i cili ka udhëhequr edhe më parë Holandën në Euro 2000.
Por një nga kandidatët më të fortë vazhdon te mbetet Rud Gulit, i cili dje ka deklaruar publikisht se është gati të marrë drejtimin e kësaj përfaqësueseje.
“Nëse më thërrasin, do të isha i nderuar ta pranoja këtë detyrë. E di që mund t’ia dal mbanë me këtë ekip. Kam humbur shpesh si trajner por njerëzit harrojnë që edhe kam fituar shumë, si lojtar e si trajner”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 July 2012 09:20