Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka sugjeruar që edicioni i vitit 2020 të Kampionatit Evropian të zhvillohet në të gjithë Evropën, në vend të një apo dy vendeve pritëse.
“Kjo është një ide që kemi, por kuptohet që nuk është vendosur asgjë. Në dhjetor apo janar do të mblidhemi ta diskutojmë dhe të shohim nëse do të pranojmë oferta nga një vend, dy, apo e gjithë Evropa”.
Francezi bëri të qartë se ai edicion i 60-vjetorit të turneut mund të përfshinte 12-13 qytete të ndryshme në Evropë, duke ulur kostot e organizimit dhe duke zgjidhur problemet e infrastrukturës.
“Ky turne do të shënojë 60 vjetorin e Evropianit. Mund të zhvillohet në 12-13 qytete të ndryshme në të gjithë kontinentin. Mua më pëlqen jashtëzakonisht shumë ideja dhe pjesa më e madhe e Komitetit Ekzekutiv mendon se ajo është e mirë. Pse një apo dy vende organizatore duhet të ndërtojnë 10 stadiume, aeroporte, etj? Me këtë ide ka një stadium për shtet dhe qytet nëpër të gjithë Evropën. Do të jetë shumë më e thjeshtë dhe shumë më pak e kushtueshme”, tha ai.
Euro 2016 do të zhvillohet në Francë, ndërsa që nga ai edicion, numri i skuadrave pjesëmarrëse në fazën finale rritet nga 16 në 24.
Për Euro 2020, interesim ka shprehur Turqia, që dëshiron ta organizojë e vetme. Një ide është ajo e zhvillimit për herë të parë në tre vende të ndryshme, ku Irlanda, Skocia dhe Uellsi po përgatitin një “ofertë të përbashkët”. Edhe Azerbajxhani e Gjeorgjia mendohet se do të paraqitin një kërkesë për të realizuar së bashku këtë aktivitet. (LajmeShqip.com)
Saturday, 30 June 2012 18:30