Andre Vijas-Boas do të humbë më shumë se 10 milion paund në momentin kur do të prezantohet si trajneri i ri i Totenhem në javën e ardhshme.
Portugezi 34 vjeçar nuk përfitoi një pagesë në dorë pasi u shkarkua nga drejtimi i Çelsit, pasi kishte kryer vetëm 8 muaj nga kontrata e tij trevjeçare.
Blutë londinezë nuk i paguan atij asnjë lloj dëmshpërblimi, por bënë të qartë se do të vazhdonin t’i paguanin rrogën prej 100 mijë paund në javë derisa të gjente një detyrë të re. Nëse ai do të qëndronte pushim, do të vazhdonte të paguhej nga Çelsi deri në përfundimin e kontratës që kishte nënshkruar me londinezët.
Deri tani, Vijas Boas është paguar edhe për tre muaj rrogë që nga shkarkimi, por në momentin që do të shfaqet në ambientin e klubit rival londinez, presidenti Roman Abramoviç do të ngarkojë avokatët e klubit që t’i japin fund pagesave ndaj tij. Si rrjedhojë, ai nuk do të mund të përfitojë rreth 10.8 milion puand të mbetura në kontratën me blutë.
Sipas raportimeve nga Portugalia, negociatat me Totenhemin janë ndalur pikërisht te diskutimi financiar, pasi Vijas-Boas ka bërë të qartë se po heq dorë nga 25 muaj rrogë të sigurta për të marrë drejtimin e një skuadre tjetër dhe pret një trajtim financiar të përafërt. (LajmeShqip.com)
Saturday, 30 June 2012 13:20