Agjencia Anti-Doping në SHBA, USADA, ka konfirmuar se do të akuzojë zyrtarisht për përdorim substancash të palejuara kampionin amerikan të çiklizmit, Lens Armstrong, në një çështje gjyqësore nga e cila ai mund të humbasë të 7 titujt e fituar në Turin e Francës.
“USADA mund të konfirmojë se një bord i pavarur prej tre personash ka bërë një vlerësim të plotë dhe ka bërë rekomandim unanim që të vazhdojmë me një proces në përputhje me rregullat”, ishte lajmërimi që doli nga zyrat e kësaj agjencie në lidhje me këtë çështje që është hapur dhe mbyllur disa herë gjatë viteve të fundit.
40 vjeçari Armstrong ka hedhur poshtë me ngulm çdo akuzë për përdorim dopingu që i është bërë gjatë karrierës së tij me skuadrën e USPS dhe Diskoveri. Nga viti 1999, deri në vitin 2005, ai arriti të hynte në histori duke fituar 7 herë Turin e Francës.
Tani çiklisti me famë botërore ka braktisur përfundimisht këto gara, duke iu kushtuar disiplinës së triatlonit, për të treguar se aftësitë e tij mbi biçikletë kanë qenë meritë e forcës fizike dhe jo substancave të palejuara. (LajmeShqip.com)
Saturday, 30 June 2012 10:01