Tenisti kroat Ivo Karloviç ka lëshuar akuza shumë të rënda duke deklaruar se turneu i Uimbëlldonit po trukohet në favor të Endi Marrei.
Anglezi fitoi në ndeshjen mes tyre në raundin e dytë me rezultatin 7-5, 6-7, 6-2, 7-6, por kroati deklaroi se ndeshja u vendos nga faullet në vijë, ndërsa kundër tij u dhanë 11 të tillë. Sipas tij, dëshira e anglezëve për të parë një fitues britanik në turneun e “shtëpisë” fshihej pas kësaj disfate.
“Diferencën e bënë faullet me këmbët në vijë. Ishte e tmerrshme! Në gjithë jetën time, që kur kam qenë 8 vjeç, nuk kam bërë kaq shumë falle. Pas kësaj ndeshje, për mua ka humbur gjithë besueshmëria e këtij turneu”.
“Faullet nuk jepeshin asnjëherë ku ishim 30-0 apo 40-0, gjithmonë jepeshin kur ishim 30-30 apo barazim. Jam i inatosur pasi nuk e prisja këtu, edhe pse përballë lojtarit anglez që ata dëshirojnë të fitojë”.
“Kush e ka fajin? Për Marrein nuk e di. Por nuk është vetëm Uimbëlldoni, është e gjithë Britania e Madhe. Unë ndryshova edhe mënyrën e lojës për të qëndruar larg vijës por ata përsëri vazhduan të jepnin falle të tillë kundër meje. Ishte e turpshme. Unë jam një person i qetë, nëse nxehem zakonisht largohem nga fusha. Por e ndjej veten të mashtruar. Në një Grand Slam, në fushën qendrore, sinqerisht nuk di çfarë të them”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Friday, 29 June 2012 09:20