Çelsi dhe Valencia kanë bërë të ditur në faqet e tyre zyrtare të internetit se në radhët e përfaqësueses olimpike të Brazilit do të jenë mbrojtësi David Luiz dhe portieri Diego Alvesh. Por ky lajmërim ka sjellë pakënaqësi të madhe në Federatën Braziliane, e cila kishte planifikuar të shpallte listën përfundimtare me datë 6 korrik.
Faksi që kjo federatë i ka dërguar Valencias, përmbante edhe emra lojtarësh të tjerë që aktivizohen në kampionatin spanjoll: Marcelo, Dani Alvesh dhe Kutinjo.
Pas këtij publikimi, kanë lindur debate të ashpra, pasi në bazë të rregullores, lojtarë të tjerë si Tiago Silva, Hulk, Dede e Xheferson do të mbeten jashtë përfaqësueses pasi janë mbi moshën 23 vjeç dhe vetëm tre lojtarë mbi moshë mund të jenë pjesë e kombëtares olimpike.
Futbollistët pritet të bëhen pjesë e grumbullimit të kombëtares braziliane me datë 9 korrik, për të filluar një fazë përgatitore që do të zgjatë deri në udhëtimin drejt Londrës për të marrë pjesë në aktivitet.
Në fazën në grupe të Lojërave Olimpike, Brazili do të ketë si kundërshtarë Egjiptin, Bjellorusinë dhe Zelandën e Re, ndërsa është favorit kryesor për të fituar medaljen e artë pasi ka në përbërje emra yjesh si Neimar e Ganso. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 June 2012 10:01