Arsenali ka siguruar shërbimet e sulmuesit francez Olivier Zhirud, i cili ka kaluar te ekipi anglez nga radhët e Montpelje, me klubin francez që përfitoi rreth 15 milionë euro nga marrëveshja.
Lojtari kreu vizitat mjekësore të hënën dhe vetëm gjatë ditës së sotme firmosi kontratën katërvjeçare me ekipin e drejtuar nga Arsen Venger.
“Jemi shumë të gëzuar që siguruam firmën e Olivier Zhirud. Ai është një lojtar fizikisht i fortë dhe i jashtëzakonshëm në lojën në ajër. Me afrimin e tij, do t’i shtojmë një tjetër dimension opsioneve tona sulmuese në sezonin e ardhshëm. Ka treguar se mund të luajë në nivele ndërkombëtare me klubin e tij dhe me kombëtaren dhe të gjithë pamë ndikimin që kishte në sigurimin e titullit kampion për Montpelje në Francë”, ishin fjalët e Venger.
Natyrshëm që edhe futbollisti ka qenë tejet i gëzuar për këtë ndryshim të rëndësishëm në karrierën e tij. “Jam i lumtur që jam pjesë e Arsenalit, një nga ekipet më të mëdha të futbollit anglez. Ka qenë ëndrra ime që i vogël të luaja në Angli. Ajo që më tërhiqte te ky klub ishte filozofia e Venger dhe të punoja me të, tani shpresoj që bashkë të arrijmë gjëra të mëdha”.
Me blerjen e Podolski dhe Zhirud, tani Arsenali mund t’i thotë qetësisht lamtumirë Robin Van Persit, i cili kërkohet nga ekipe të ndryshme dhe pritet që të zgjedhë një skuadër tjetër mes Juventusit dhe Mançester Sitit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 June 2012 14:10