Katër ekipet shqiptare që marrin pjesë në Kupat e Evropës në këtë edicion kanë një mundësi të artë për të kaluar të paktën një tur.
Në shortin e Ligës së Kampioneve, ku Skënderbeu futet në turin e dytë paraeliminator, shorti i ka vënë korçarët përballë ekipit hungarez të Debreçenit. Ndonëse ky është një klub me emër në arenën ndërkombëtare, futbolli hungarez nuk është absolutisht afër nivelit që i ka bërë të famshëm në botë shumë vite më parë. Duke patur parasysh se në vazo, mes kundërshtarëve ka patur emra më të respektueshëm, shorti për kampionët e Shqipërisë mund të quhet i mirë.
Një vizitë në Hungari do të bëjë edhe Flamurtari, që do të luajë kundër Budapest Honved në Europa League. Vlonjatët po mendojnë që të ecin në Kupat e Evropës dhe këtë e kanë treguar me një përforcim të rëndësishëm që kanë bërë, duke kthyer në skuadër sulmuesin e njohur Migen Memelli, një nga armët e tyre më të forta për sezonin e ri. Nëse kalojnë turin, vlonjatët do të kenë përballë një nga ekipet që ka bërë më shumë bujë në vitet e fundit, Anzhi të Rusisë, ku kanë shkuar shumë futbollistë të njohur për rrogat e mëdha që u ofrohen, mes të cilëve edhe Samuel Eto’o.
Një short më i lehtë në letër i ka takuar edhe Teutës, që do të përballët me skuadrën gjeorgjiane të Metalurg Rustavi, e cila nuk ka shumë histori në turnetë evropianë. Nëse kalon turin, ekipi durrsak do të ketë një sfidë aspak të lehtë në letër, pasi do të vihet përballë çekëve të Viktoria Plzen, të cilët luajnë rregullisht në Ligën e Kampioneve dhe Europa League me rezultate mëse të kënaqshme.
Fatin më të madh e ka patur Tirana, e cila është vënë nga shorti përballë skuadrës së Grevenmaher të Luksemburgut, një ekip që është shumë larg nivelit të bardhebluve. Ndërkohë, shorti i turit të dytë nuk ka qenë edhe ai shumë i vështirë, pasi përballë do të jetë Alesunds e Norvegjisë, një ekip që me pak sforco mund të kalohet nga skuadra kryeqytetase. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 June 2012 19:30