Atletiko Madrid ka hedhur poshtë mundësinë që sulmuesi Radamel Falkao të largohet nga ky klub gjatë merkatos verore. Sulmuesi kolumbian ka qenë një nga më të suksesshmit në Spanjë, që nga momenti kur iu bashkua kësaj skuadre në verën e vitit 2011, pasi ka shënuar 36 gola në 50 ndeshje me fanellën e Atletiko.
Sipas mediave të ndryshme angleze e spanjolle, Roberto Mançini kishte vënë emrin e tij në majën e listës së kërkesave ndaj drejtuesve të Mançester Sitit, pasi e preferonte atë para Robin Van Persit.
Por drejtori sportiv i Atletikos, Hoze Luis Kaminero, ka bërë të qartë se Falkao do të mbetej pjesë e klubit të paktën edhe në sezonin e ardhshëm, pavarësisht tërheqjes që mund t’i ofronte futbolli i Ligës së Kampioneve në ekipe më të njohura.
“Falkao do të qëndrojë te Atletiko Madrid dhe çdo bisedë për largimin e tij është e pasaktë. Klubi ka ide shumë të qarta rreth kësaj çështje. Sulmuesi do të qëndrojë me ne në sezonin e ardhshëm dhe ne nuk po marrim në konsideratë mundësi të tjera”, tha Kaminero. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 June 2012 08:40