Fernando Alonso është ngjitur nga vendi i 11-të në nisje për të marrë fitoren në Çmimin e Madh të Evropës në pistën spanjolle të Valencias. Ky sukses e bëri pilotin e Ferrarit të parin që arrin të marrë një sukses të dyfishtë në këtë sezon, i cili është bërë krejtësisht i paparashikueshëm nga gomat dhe problemet e besueshmërisë së makinave.
Piloti spanjoll ka qenë i pagabueshëm në garën e tij, ndërsa ka parë me qetësi se si të gjithë rivalët largoheshin një nga një duke i dhuruar atij fitoren dhe kreun në renditjen e botërorit.
Vetel me Red Bull, që kryesoi më shumë se gjysmën e garës i shkëputur nga të tjerët, braktisi garën pak xhiro pas hyrjes së makinës së sigurisë në pistë pas një përplasje, ndërsa askush në skuadrën e tij nuk ka dhënë shpjegim për problemin në makinë. Luis Hemilton me MekLaren, dukej një pretendent për fitore, derisa mekanikët e tij bënë gabimin e radhës në bokse duke lënë që të kalohej nga Alonso, ndërsa në xhirot e fundit ai doli nga pista pas një kontakti me Maldonando, kur e lëshuan gomat dhe po luftonte për vendin e tretë.
Romein Groszhan me Lotus ishte një rrezik për Alonson dhe pritej të duelonte me të gjatë xhirove të fundit për fitoren, por atij iu prish marshi i makinës dhe iu desh të braktiste garën gjithashtu, duke i lënë vendin e dytë shoku të skuadrës, Kimi Raikonen.
Në vend të tretë u ngjit Mikael Shumaker me Mercedes, podiumi i parë për të që pas kthimit në Formula 1, ndërsa arriti të mbante pas Mark Ueber me Red Bull që u ngjit në vendin e katërt pasi kishte filluar garën në vendin e 19-të.
Në zonën e pikëve u renditën me radhë Hulkenberg (Force India), Rosberg (Mercedes), Baton (MekLaren), Perez (Sauber) dhe Maldonado (Uilliams). (LajmeShqip.com)
Renditja e kampionatit për pilotë
111 Fernando Alonso (Ferrari)
91 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
88 Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
85 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
75 Niko Rosberg (Mercedes)
73 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
53 Romen Groszhan (Lotus-Reno)
49 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
39 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
30 Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)
27 Pol Di Resta (Force India-Mercedes)
21 Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)
17 Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)
17 Mikael Shumaker (Mercedes)
15 Bruno Sena (Uilliams-Reno)
11 Felipe Masa (Ferrari)
4 Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)
2 Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari)
Sunday, 24 June 2012 16:35