Legjenda e futbollit francez, Zinedin Zidan, në ditën e 40 vjetorit të tij, ka zbuluar se e ka patur shumë të vështirë të mësohet me idenë e qëndrimit larg fushave të blerta që në ditën kur vendosi të braktisë futbollin e luajtur.
Ish-lojtari i Bordo, Juventus dhe Real Madrid, luajti ndeshjen e tij të fundit në finalen e Botërorit 2006, ku Franca e tij u mund me penallti nga Italia, pasi ai ishte ndëshkuar më parë me karton të kuq për gjestin e famshëm të goditjes me kokë të mbrojtësit italian Marko Materaci.
Ndonëse është drejtor sportiv te Real Madrid që në korrikun e vitit 2011, Zidan ka pranuar se nuk ndjen të njëjtën kënaqësi si në kohën kur luante vetë futboll.
“Nëse më pyet nëse jam i lumtur në jetën time aktuale ashtu si isha në atë të mëparshmen, përgjigja është jo. Sigurisht që isha më i lumtur kur isha në fushë e lojës. Ishte jeta ime e ëndrrave dhe tani kam një jetë krejtësisht ndryshe. Ndaj edhe lumturia është krejtësisht ndryshe”.
Fituesi i Botërorit 1998 dhe Euro 2000 feston 40 vjetorin pikërisht në ditën kur Franca e tij ndeshet me vendin që e ka “adoptuar”, Spanjën, në çerekfinalet e Euro 2012.
“Për mua, spanjollët janë favoritë, por gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje me eliminim direkt”, tha lojtari që ka luajtur 108 ndeshje me Francën duke shënuar 31 gola. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 June 2012 13:20