Samir Ujkani është përsëri një futbollist i Palermos, pasi ky klub ka riblerë gjysmën e kartonit të portierit të kombëtares shqiptare të futbollit nga Novara.
Lojtari i përfaqësues shqiptare kishte tre sezone në radhët e Novarës, fillimisht i huazuar e më pas në bashkëpronësi mes të dy skuadrave. Ai ndihmoi Novarën të ngjitej nga Lega Pro në Serinë B e më pas në Serinë A brenda dy sezoneve radhazi, duke rishkruar historinë e kësaj skuadre të vogël.
Fatkeqësisht për Ujkanin, Novara nuk ka arritur të mbijetojë në Serinë A, e penalizuar edhe nga fakti që portieri shqiptar është dëmtuar dy herë dhe nuk ka mundur të japë kontributin e tij të plotë. Megjithatë, ai ka marrë vlerësime të shumta për paraqitjet që ka bërë në Serinë A dhe për këtë arsye, Palermo ka vendosur ta kthejë përsëri në radhët e tij.
Pritet që portieri shqiptar tashmë të ketë shansin të veshë fanellën e titullarit në radhët e kësaj skuadre prestigjioze. Por aty ai do të ketë një konkurrencë të ashpër, pasi me Palermon aktivizohet edhe portieri italian Emiliano Viviano, kandidat për kombëtaren, si dhe greku Aleksandros Tzorvas.
Palermo synon të shesë sa më parë Vivianon, duke e bërë Ujkanin titullar në radhët e këtij ekipi që synon si zakonisht të mbyllë kampionatin në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit. (LajmeShqip.com)
Friday, 22 June 2012 19:49