Portugalia është gjysmëfinalistja e parë e Euro 2012, pasi ka mundur Republikën Çeke me rezultatin minimal 1-0 në çerekfinale. Në një ndeshje të luajtur kryesisht nga ekipi iberik, diferencën e ka bërë i zakonshmi Kristiano Ronaldo, i cili ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes.
Që në fillim dukej qartë që Portugalia ishte skuadra që do të bënte lojën dhe do të kërkonte me më shumë ngulm fitoren. Kristiano Ronaldo duket në formë të shkëlqyer dhe vë në vështirësi disa herë mbrojtjen kundërshtare, duke treguar se ka lënë pas fillimin e turbullt që i bëri këtij turneu.
Republika Çeke thuajse nuk provon të rrezikojë portën e Portugalisë dhe arrin të mbrohet mirë, ndonëse e shpëton dy herë fati i nga gjuajtjet e Kristiano Ronaldos që ndalen nga shtylla. Me kalimin e minutave, porta e Petr Çeh kthehet në një poligon të mirëfilltë ku të gjithë me radhë provojnë të kalojnë portierin e Çelsit, por pa sukses.
Megjithatë, edhe ai detyrohet të dorëzohet para Kristiano Ronaldos, i cili me kokë dërgon në rrjetë një harkim perfekt të Zhoao Mutinjos.
Deri në fundin ndeshjes asgjë nuk ndryshon pasi Çekia nuk ka forcën e duhur për të vënë në vështirësi portugezët, të cilët shkojnë të qetë drejt gjysmëfinales, duke parë edhe formën e shkëlqyer të Kristiano Ronaldos. Kundërshtari i tyre do të dalë nga sfida mes Spanjës dhe Francës. (LajmeShqip.com)
Çerekfinalet
R. Çeke-Portugali 0-1
79’ Kristiano Ronaldo
22.06.2012
Gjermani-Greqi 20:45
Gjyqtar: Damir Skomina (Slloveni)
Gdansk
23.06.2012
Spanjë-Francë 20:45
Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)
Donetsk
24.06.2012
Angli-Itali 20:45
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
Kiev
Thursday, 21 June 2012 22:05