Ish-sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba, tashmë është zyrtarisht pjesë e klubit kinez Shangai Shenhua, për të cilin ka nënshkruar një kontratë që zgjat 2 sezone e gjysmë.
Ai mendohet se ka refuzuar një numër të lartë klubesh të njohura, ku përfshihet edhe Real Madrid, për t’iu bashkuar ish-shokut të skuadrës, Nikolas Anelka, në radhët e skuadrës kineze, ku do të fitojë rreth 200 mijë paund në javë.
“Sot mund t’ju konfirmoj se kam firmosur me klubin kinez Shangai Shenhua një marrëveshje prej dy sezonesh e gjysmë. Do të bashkohem me ekipin tim të ri në korrik. Kam marrë në konsideratë të gjithë ofertat që kisha në javët e fundit, por mendoj se Shangai Shenhua është lëvizja e duhur e imja në këtë periudhë. Pres me padurim fillimin e një sfide të re dhe të mësoj një kulturë të re. Shpresoj që të përmirësoj nivelin e futbollit në Kinë dhe marrëdhëniet e tij me Afrikën”, tha sulmuesi në deklaratën e tij.
Drogba ka fituar statusin e sulmuesit legjendar te Çelsi, pasi ka shënuar 157 gola me fanellën e klubit londinez në 8 sezone. Ai ka një status shumë të veçantë në finale, duke shënuar 9 gola në po aq finale në të cilat ka marrë pjesë me skuadrën e Çelsit. Padyshim goli më i rëndësishëm ka ardhur në finalen e këtij edicion të Ligës së Kampioneve ku shënoi golin e barazimit dhe pastaj penalltinë që i dha trofeun klubit anglez. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 June 2012 13:20