Hije të errëta bien mbi Juventusin, pas deklaratës së ish-mesfushorit francez Daniel Bravo, i cili ka patur një të kaluar te Parma në Serinë A. Sipas tij, titulli kampion i fituar nga bardhezinjtë në sezonin 1996-1997, erdhi si rrjedhojë e rezultateve të manipuluara, mes të cilave pikërisht një Juventus-Parma e përfunduar 1-1.
Ndeshja në fjalë zhvillohej tre javë para përfundimit të kampionati, i cili u fitua nga bardhezinjtë e Marçelo Lipit me dy pikë diferencë pikërisht ndaj Parmës se Karlo Ançelotit. Ndeshja përfundon 1-1, me autogol të Zidan e gol me penallti të Amouruso, të dy në pjesën e parë.
“Ishim në garë për titullin kampion, por në pushimin e ndeshjes, u vendos bashkërisht me marrëveshje mes dy skuadrave për barazim”, kujton ish-futbollisti për “Yahoo! Sport”.
Bravo, tani një komentator sportiv, lëshon një akuzë shumë të rëndë, ndërsa shton edhe detaje të tjera rreth kësaj ndeshje të inkriminuar, ku Juventusi vinte me 6 pikë avantazh ndaj Parmës.
“Unë nuk e kuptoja se çfarë po bëhej dhe i them të tjerëve: ‘Jeni çmendur, mund të fitomë titullin’. Por përgjigja ishte: ‘Në Itali veprohet kështu’”.
Në atë ndeshje, Bravo ishte në stolin e rezervave të Parma, ndërsa në fushën e lojës zbritën lojtarë si Peruci, Ferrara, Montero, Deshamp, Zidan, Del Piero dhe Vieri (Juventus), apo Bufon, Turam, Kanavaro, D. Baxho e Krespo (Parma). (LajmeShqip.com)
Tuesday, 19 June 2012 14:56