Tre anëtarë të stafit të Çelsit janë pezulluar pas dëmtimit të trofeut të Ligës së Kampioneve. Rojet e sigurisë të klubit po pozonin me kupën duke bërë foto që t’ua tregonin miqve, ndërsa kanë dëmtuar një nga mbajtëset e saj.
Ndonëse trofeu ishte rikthyer në vendin e tij, të nesërmen është zbuluar dëmtimi dhe trofeu është dërguar me urgjencë te një argjendar për të bërë riparimet e rastit.
Klubi londinez ka konfirmuar se tre rojet e sigurisë që kanë dëmtuar trofeun, nuk duhej të ishin në ambientet e klubit në atë orë dhe se vizita e tyre aty ishte e paautorizuar.
Mediat angleze kanë raportuar se Çelsi ka filluar një hetim të brendshëm për situatën në fjalë, duke pranuar njëkohësisht një pjesë të fajit për dëmtimin e trofeut.
Në ndryshim nga klubet e tjera që mbyllin trofeun në një kuti sigurie qelqi, Çelsi gjatë këtij muaji e ka kaluar atë nga një departament në tjetrin, një mënyrë origjinale për të falënderuar rreth 400 personat që punojnë për klubin dhe që janë po aq të rëndësishëm për sukseset e tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 19 June 2012 08:01