Burgu duket se nuk është vendi i duhur për personat me fame që janë mësuar të ushqehen me një standard të caktuar. Ylli i boksit, Floid Meiuedher, i njohur tani zyrtarisht si “I Burgosuri 01363917” në burgun e Nevada, e vërteton më së miri këtë gjë.
Boksieri i cili po vuan një dënim prej 90 ditësh në qeli për shkak të pranimit të fajit për akuzën e dhunës në familje, ka kërkuar nëpërmjet avokatit të tij që dënimin e mbetur ta kryejë në arrest shtëpie duke u ankuar për trajtimin ushqimor të papërshtatshëm që janë duke i bërë në qelinë e tij.
Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga gjykatësja Melisa Saragosa, e cila bëri të qartë se të gjitha shqetësimet e Meiuedher ishin “të krijuara nga vetë ai”, ndonëse një doktor i punësuar nga boksieri tha se ai nuk po ushqehej mirë, nuk pinte ujë mjaftueshëm dhe vuante nga mungesa e ushtrimeve fizike.
Shefi i Policisë së Las Vegas, Xhon Donahu, shpjegoi arsyet pse Meiuedher ankohej kot për ushqimin dhe kushtet e tij. “Sipas standardeve shtetërore, në i shërbejmë të burgosurve të paktën 2800 kalori në ditë, të cilat ai i merr. Por ai ka zgjedhur të mos konsumojë të gjithë ushqimin se nuk i pëlqen, duke preferuar vetëm biskota”.
“Stërvitjet ai mund t’i bëjë në qelinë e tij ku ka hapësirë mjaftueshëm për të bërë ushtrimet bazë, ose mund të dalë në orën e tij të pushimit të vrapojë ose të luajë basketboll nëse dëshiron. Po e mbajmë në izolim nga të burgosurit e tjerë jo për ta dënuar më shumë, por për të evituar ndonjë situatë të pakëndshme, pasi shumë prej tyre mund të kërkojnë t’i zhvatin para apo ta dëmtojnë në një mënyrë apo një tjetër”, tha shefi i policisë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 June 2012 11:40