“Tiago Silva qëndron te Milan”. Ky është premtimi që ka bërë Silvio Berluskoni, i cili ka deklaruar publikisht se nuk do të heqë dorë nga mbrojtësi për të cilin PSZH bëri gati 42 milionë euro dhe 9 të tjera si bonus.
“Nuk kemi ndryshuar mendje, nuk ka ekzistuar asnjëherë ideja për të shitur lojtarin, por na vinin disa oferta të jashtëzakonshme. Megjithatë, zemra ime e vjetër kuqezi më shtyu të them jo”, ishte komenti i pronarit të Milanit.
“Me PSZH ishim të qartë që në fillim. Iu thamë atyre që nuk kishte një vendim përfundimtar por do të dëgjonim cilat ishin ofertat dhe do të shihnim se kush mund të ishte zëvendësues i mundshëm para se të vendosnim. Na kanë bërë një ofertë rreth 46 milionë euro por hodhëm një sy rreth e rrotull dhe nuk gjetëm asnjë që mund të zëvendësonte denjësisht Tiago Silvan”, ka shpjeguar presidenti i Milanit.
Menjëherë pas kësaj deklarate, edhe klubi i PSZH ka pranuar mbylljen e bisedimeve me Milanin nëpërmjet një mesazhi në adresën zyrtare në Twitter. “Klubi ka marrë vendimin të tërhiqet nga bisedimet me Milan rreth lojtarit Tiago Silva”, shkruhej në këtë deklaratë të bërë publikë në orët e vona të natës së mbrëmshme.
Megjithatë, kuqezinjtë tani duhet të kënaqin kërkesat e lojtarit i cili ka një kontratë deri në vitin 2016 me ta, por që kërkon një rrite të ndjeshme të rrogës, në ato nivele që i kishte propozuar PSZH. Tiago Silva përfiton aktualisht 4.5 milion euro në vit, ndërsa te klubi parisien do të përfitonte dyfishin e kësaj shume, një sforco ekonomike që tashmë Milani është thuajse i detyruar ta bëjë për të mos ngjallur pakënaqësi të lojtari që kishte bërë gati valixhen për të shkuar në Paris. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 June 2012 09:20