Italia ka komplikuar shumë kualifikimin e saj në çerekfinalet e Euro 2012 pasi tani fatet e kësaj skuadre nuk janë krejtësisht në dorën e saj pas barazimit 1-1 me Kroacinë që e la me 2 pikë në renditjen e Grupit C.
Të kaltrit e Prandelit zhvilluan një pjesë të parë të mirë dhe kaluan në avantazh me meritë, pas një goditje dënimi perfekte te Pirlos. Por në pjesën e dytë, skuadra italiane e uli shumë ritmin e lojës dhe i dha mundësinë kroatëve që të rrezikonin dhe të gjenin rrugën e rrjetës me anë të Manxhukiç, i cili mposhti Bufon pas një pavëmendje të mbrojtjes së kaltër.
“Nëse nuk arrin të mbyllësh ndeshjen, sigurisht që më pas do të pendohesh”, ishin fjalët e trajnerit Prandeli pas kësaj sfide, ku ai është kritikuar se ka vazhduar t’i qëndrojë besnik idesë së aktivizimit të Mario Balotelit, përsëri zhgënjyes. Italisë tashmë nuk i mjafton vetëm fitorja me Irlandën për të kaluar në turin tjetër, pasi një barazim 2-2 apo me më shumë gola mes Spanjës dhe Kroacisë në ndeshjen e fundit i nxjerr ato jashtë Euro 2012.
Ndërkohë, Kroacia ka qenë në qiellin e shtatë pas këtij barazimi që ka patur shijen e fitores. “Me siguri as vendi ynë nuk e priste një rezultat të tillë. Tani kemi një shans shumë të mirë për të kaluar turin”, ka pranuar trajneri Biliç. (LajmeShqip.com)
Grupi C
Spanjë-Itali 1-1
63’ Fabregas / 61’ Di Natale
Irlandë-Kroaci 1-3
19’ Sent Lexher / 3’, 49’ Manxhukiç, 43’ Jelaviç
Itali-Kroaci 1-1
39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç
Spanjë-Irlandë 4-0
4’, 70’ Torres, 49’ Silva, 83’ Fabregas
Renditja
Spanjë 4 5-1
Kroaci 4 4-2
Itali 2 2-2
Irlandë 0 1-7
18.06.2012
Kroaci-Spanjë 20:45
Gdansk (Poloni)
Itali-Irlandë 20:45
Poznan (Poloni)
Thursday, 14 June 2012 22:19