Trajneri i Spanjës, Visente Del Boske, ka hedhur poshtë sugjerimet se Irlanda nuk është në gjendje të dëmtojë skuadrën e tij. Shumëkush beson se Xhovani Trapatoni ka menduar një taktikë 100% mbrojtëse për të marrë një pikë ndaj kampionëve në fuqi dhe për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në çerekfinalet e turneut.
“Unë shqetësohem për çdo aspekt të lojës së kundërshtarit. Irlanda ka më shumë se një mënyrë për të na rrezikuar. Ata kanë lojtarë shtatlartë dhe të fortë, si dhe janë të rrezikshëm me depërtimet nga krahët. Nëse shihni edhe të kaluarën tonë, nuk kemi patur kurrë një fitore të lehtë kundër Irlandës. Jam i sigurt që kjo ndeshje do të paraqesë vështirësi për ne, por gjithashtu besoj se mund t’i kalojmë ato”, tha trajneri i Spanjës.
Ndërkohë, një nga lojtarët më me eksperiencë në radhët e spanjollëve, mesfushori Ksabi Alonso, e sheh si rrezik kryesor faktin që skuadra mund të nervozohet nëse nuk gjen shpejt rrugën e rrjetës.
“Nëse ata luajnë me dy linja prej katër lojtarësh, do të jetë e vështirë që të gjenden hapësira mes tyre. Për këtë arsye, ne e dimë se duhet të jemi shumë të durueshëm në mënyrë që të shfrytëzojmë mundësinë më të mirë që na shfaqet për të shënuar. Skema funksionon, e tregoi edhe goli i shënuar nga Fabregas kundër Italisë. Shpresojmë që duke filluar nga kjo ndeshje, të përmirësohemi edhe më shumë”, tha mesfushori i Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Grupi C
Spanjë-Itali 1-1
63’ Fabregas / 61’ Di Natale
Irlandë-Kroaci 1-3
19’ Sent Lexher / 3’, 49’ Manxhukiç, 43’ Jelaviç
Renditja
Kroaci 3 3-1
Spanjë 1 1-1
Itali 1 1-1
Irlandë 0 1-3
14.06.2012
Itali-Kroaci 18:00
Gjyqtar: Hauard Ueb (Angli)
Poznan (Poloni)
Spanjë-Irlandë 20:45
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
Gdansk (Poloni)
18.06.2012
Kroaci-Spanjë 20:45
Gdansk (Poloni)
Itali-Irlandë 20:45
Poznan (Poloni)
Thursday, 14 June 2012 11:40