Barcelona ka konfirmuar se është arritur marrëveshja dyvjeçare me trajnerin Tito Vilanova dhe se të premten ai do të hedhë firmën në kontratë. Vilanova ishte zëvendësi i Pep Guardiolës gjatë katër viteve që ky i fundit drejtoi katalanasit drejt fitores së 14 trofeve.
Bisedimet mes palëve kishin filluar që me 27 prill, kur u bë lajmërimi nga klubi se ishte ai emri i përzgjedhur për të marrë drejtimin e ekipit katalanas.
“Barcelona ka arritur marrëveshjen me Francesk ‘Tito’ Vilanova. Zëvendëstrajneri i këtij sezoni, do të bëhet trajner i parë i Barcelonës për dy sezone, deri me 30 qershor 2014. Kontrata do të firmoset në praninë e mediave me datë 15 qershor, ora 12:00”, shkruhet në deklaratën e klubit.
Me sa është mësuar nga mediat spanjolle, Vilanova do të përfitojë një shumë relativisht të lartë për të shërbimet e tij si trajner i Barçës, me rreth 7 milionë euro në sezon.
42 vjeçari ka luajtur shumë pak si profesionist në elitën e futbollit spanjoll, kryesisht me Selta Vigo, para se të fillonte të merrej me trajnimin dhe të kthehej te klubi i origjinës.
Ai doli nga akademia e Barcelonës por nuk arriti të fitonte një vend në skuadrën e parë dhe u largua nga ky klub për të shëtitur në karrierën e tij si futbollist në shumë ekipe të vogla, derisa u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2002.
Në vitin 2007, ai u kthye te Barça si trajner i të rinjve, duke ndihmuar Barcelona B të ngjitej në kategorinë e dytë spanjolle, para se të pranonte të bëhej asistenti i Giardiolës te ekipi i parë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 June 2012 08:40