Nuk ka ende asgjë zyrtare por mediat italiane dhe franceze janë të bindura se Tiago Silva mund të quhet një futbollist i Paris Sent Zhërmen pasi është pranë firmës me klubin francez.
Mbrojtësi brazilian ka marrë që tani në telefon disa prej shokëve të skuadrës te Milani për t’i treguar se do të ndërrojë skuadër, pasi kuqezinjtë e kanë shitur për 50 milionë euro. Për lojtarin është bërë gati një kontratë pesëvjeçare nga klubi francez, ku ai do të përftojë 10 milionë euro në sezon, më shumë se dyfishi i asaj që merr aktualisht në Itali.
Sipas mediave të ndryshme, të martën do të zhvillohen vizitat mjekësore në Paris, ndërsa të mërkurën do të zyrtarizohet marrëveshja dhe të bëhet prezantimi i tij në klubin e ri, përkrah trajnerit Ançeloti dhe drejtorit sportiv Leonardo që e kanë kërkuar fuqimisht.
Fillimisht klubi italian ka hedhur poshtë këtë hipotezë, por më pas është dorëzuar para të paevitueshmes dhe në vetë televizionin e klubit ka dalë lajmi se Milani dhe PSZH kanë “filluar” negociatat për shitjen e futbollistit.
Për të mbuluar këtë boshllëk të madh të lënë nga largimi i brazilianit, Adriano Galiani ka hedhur menjëherë sytë nga një bashkëkombës i tij, Dede i Vasko Da Gama. Për këtë të fundit, Milani ofron 15 milionë euro, ndërsa si emergjencë, ka kontaktuar me Alesandro Nestën duke i propozuar rinovimin edhe për një tjetër sezon. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 June 2012 20:29