Mbrojtje e hekurt, Bufon në formë, gabimet e Torres. Asnjë nga këto nuk ka qenë më vendimtare në barazimin 1-1 të Italisë me Spanjën sesa gjendja e fushës në stadiumin ku është luajtur takimi, pasi spanjollët e kanë cilësuar terrenin të papërshtatshëm për lojën e tyre të shpejtë.
Me sa është mësuar më vonë, edhe kjo ka qenë një “zgjedhje taktike” e Italisë, e cila nuk ka pranuar që të laget fusha para ndeshjes, në mënyrë që spanjollët të kishin më shumë vështirësi me pasimet e tyre të shpejta.
“Fusha ishte një tmerr, kjo ndeshje meritonte më shumë. Është një mëkat që na kanë vënë të luajmë në një terren të tillë. Nuk duam të ankohemi, por duhej të meritonim më shumë”, ishin fjalët e Çesk Fabregas.
Atij i ka mbajtur ison shoku i skuadrës, Ksavi. “Loja jonë ishte më pak dinamike dhe e rrjedhshme, na ka dëmtuar mungesa e lagies së fushës”, tha mesfushori i Barcelonës. Por këtyre akuzave u janë përgjigjur organizatorët e turneut, të cilët kanë bërë të ditur se terreni i tharë nuk ka qenë një ide e tyre.
Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, ish-legjenda Grzegorz Lato, ka shprehur pakënaqësinë ndaj akuzave që i bëheshin organizatorëve për gjendjen e terrenit. “Shpesh fusha ujitet para ndeshjes. Por duhet marrëveshje mes dy skuadrave. Spanjollët dëshironin që të lagej, ndërsa italianët jo”.
“Italianët e dinin që me një fushë të thatë, loja bëhej më e ngadaltë pasi në barin e lagur topi ecën më shpejt dhe pasimet janë më të shpejta. Kjo ishte një zgjedhje e mirë taktike e Italisë për të ndalur Spanjën”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 June 2012 16:05