Ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme aventura e Kristian Obodo, mesfushorit të përfaqësueses nigeriane i cili u rrëmbye të shtunën në mëngjes në qytetin e vendlindjes Uarri.
Sipas burimeve të ndryshme në Nigeri, futbollisti që ka luajtur me skuadra si Udineze, Fiorentina e Leçe, është çliruar pas një aksioni të policisë dhe forcave të ushtrisë nigeriane, pa patur nevojë që të paguhej dëmshpërblimi për të. “Falënderoj Zotin, për momentin nuk mund të them asgjë më shumë”, ishin fjalët e para të Obodo.
Konfirmimi i çlirimit të lojtarit ka ardhur nga “Information Nigeria”, e cila ka intervistuar shefin e policisë të krahinës. Sipas tij, nuk është paguar asnjë haraç, i cili mendohet të ketë qenë 150 mijë euro, ndërsa disa prej sekuestruesve kanë përfunduar në pranga.
Më pas ka qenë edhe vetë vëllai i futbollistit, Kenet Obodo, lojtar i Pizës në Itali, ai që ka konfirmuar se gjithçka kishte shkuar si duhej.
“Kristian nuk është kthyer ende në shtëpi, por është në një hotel në shoqërinë e kryetarit të bashkisë së qytetit tonë. Gjendja e tij është e mirë dhe nuk është ushtruar asnjë lloj dhune ndaj tij”.
“Sipas asaj që kemi mësuar, në bandën e grabitësve ishin 5 persona, ku tre janë arrestuar. Por edhe dy të tjerët do të dorëzohen shpejt, pasi policia ka ndaluar anëtarët e familjeve të tyre”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 June 2012 09:20