Një lajm i bujshëm ka ardhur nga Nigeria ku futbollisti i kësaj përfaqësueseje, Kristian Obodo, që vitet e fundit ka luajtur me skuadra si Udineze, Peruxhia e Leçe, ka përfunduar në duart e pengmarrësve.
Lojtari u rrëmbye të shtunën paradite rreth orës 10 para dyerve të një kishe. Një zyrtar policie që ka preferuar të mbetet anonim, ka konfirmuar për mediat se lojtari është marrë me forcë nga makina e tij me targat “Obodo 5”.
Pengmarrësit morën futbollistin por lanë veturën e tij para dyerve të kishës, ndërsa u larguan me një automjet tjetër në drejtim të paditur.
“Po, Obodo është rrëmbyer. Detajet janë ende të paqarta por ai ka qenë te e njëjta makinë me të cilën është parë edhe të premten në darkë, ajo me targa të personalizuara “Obobo 5”. Pikërisht këto targa duket se kanë tërhequr rrëmbyesit të cilët e kanë ndjekur gjatë të gjithë natës, pasi ai ka qenë deri në orët e vona duke bërë xhiro nëpër klube pikërisht me këtë makinë”, ka treguar zyrtari i policisë.
Ai ka bërë të ditur se nuk ka patur ende asnjë kontakt mes rrëmbyesve dhe familjarëve të futbollistit, i cili bëhet rasti i parë i një figure të njohur sportive që rrëmbehet në vendin e varfër afrikan ku futbolli është ndër të paktat mjete gëzimi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 June 2012 16:05