Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo, mendon se të gjithë kanë dalë të humbur nga debati publik mes Ronaldinjos dhe ish-klubit të tij, Flamengo.
Gjykata e Punës e Rio de Zhaneiros i dha leje sulmuesit të prishte në mënyrë të njëanshme kontratën e tij me këtë klub dhe të kërkonte një sistemim të ri, pasi Flamengo nuk i kishte paguar rrogën prej shumë kohësh. Si rrjedhojë, Ronaldinjo iu bashkua Atletiko Mineiros të hënën dhe në fundjavë pritet të bëjë debutimin me skuadrën ku do të luajë deri në fund të vitit 2012.
Por Ronaldo, mik i ngushtë me Ronaldinjon, tregoi se natyra publike e kësaj ndarje mes palëve kishte lënë një shije të keqe te të gjithë brazilianët.
“Ishte një çështje e trajtuar në mënyrën më të keqe nga të dy palët, Ronaldinjo dhe Flamengo”, tha ai për “Globoesporte”. Është një histori që fatkeqësisht ka përfunduar në mënyrë të keqe”.
“Unë nuk e di se çfarë ka motivuar të dy palët por nga ajo që shihet nga jashtë, është shumë e shëmtuar. Të dy palët janë humbëse në këtë mes. Tani Flamengo duhet të mendojë si të kthehet të fitojë tituj, ndërsa Ronaldinjo duhet të mendojë si të kthehet të luajë në mënyrën që di ai”. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 June 2012 10:40