Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, e ka cilësuar Portugalinë si një nga skuadrat më të rrezikshme të botës në kundërsulm dhe ka paralajmëruar ekipin e tij që të ketë shumë kujdes në prapavijë në ndeshjen e të shtunës ndaj kësaj skuadre.
“Portugalia është mes ekipeve më të rrezikshme në botë kur kundërshtari humb topin. Ata mund të kalojnë nga mbrojtja në sulm menjëherë dhe nuk ka skuadër që aplikon këtë skemë më mirë se ata. Nëse humbim lehtë topin, Portugalia do të jetë shumë e fortë dhe do të na vërë në vështirësi të mëdha. Ndaj na duhet që të luajmë me intensitet në sulm dhe t’i mbajmë në gjysmëfushën e tyre”.
Lëv nuk ka treguar ende se cili mund të jetë një formacion i mundshëm i skuadrës së tij në këtë ndeshje, por ka treguar se do të hedhë në fushë ata që janë 100% të përgatitur edhe psikologjikisht për të luftuar për çdo top.
“Duhet t’i paraprijmë kundërsulmeve të kundërshtarëve dhe të jemi të gatshëm, nuk lejohet asnjë sekondë shpërqendrim. Portugalia është në gjendje të luajë topin në thellësi dhe të japë pasime vdekjeprurëse me shpejtësi të lartë, ndaj duhet të bëjmë maksimumin për të mbyllur çdo hapësirë dhe kohë”, tha Lëv.
Sipas tij, asnjë lojtar nuk ka luksin të mendojë për kundërshtarët e tjerë në atë që është quajtur “grupi i vdekjes”.
“Nuk mendojmë as për Holandën e as për Danimarkën. Çdokush që mendon një apo dy ndeshje më tutje do të rrëzohet rrugës, ndaj unë u kam thënë lojtarëve të mi të mendojnë vetëm për Portugalinë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 June 2012 18:30