Ish-portieri i përfaqësueses gjermane, Jens Lehman, mendon se kombëtarja e vendit të tij duhet të ketë si qëllim vetëm kalimin e fazës në grupe në Euro 2012 dhe nuk është pretendente për fitoren e turneut.
Lojtari që ka luajtur me klube të njohura si Shalke, Borusia Dortmund dhe Arsenal, ka veshur fanellën e përfaqësueses në 61 ndeshje, ndërsa ka qenë titullar gjatë Botërorit 2006, duke ndihmuar këtë kombëtare të mbërrijë në vendin e tretë. Ai ishte titullar i përfaqësues edhe 4 vite më parë në Euro 2008, duke shkuar në finale ku Gjermani u mund 1-0 nga Spanja.
“Do të jetë një sukses nëse Gjermania kalon fazën në grupe. Pas një faze përgatitore me probleme, nuk e shoh vendin tonë mes favoritëve, ndonëse shumë njerëz e parashikojnë një triumf tonin pas një viti 2011 të suksesshëm”.
“Vazhdon të mbetet mister për mua pse lojtarëve të Bajern Mynih iu dhanë 4 ditë pushim pas finales së Ligës së Kampioneve. Në finalen para Botërorit 2006, unë u ndëshkova me karton të kuq. Askush nuk më pyeti sesi ndjehesha dhe vetëm 36 orë më vonë po luaja me ekipin kombëtar në Gjenevë”.
“Fakti që lojtarët kanë patur një kohë shumë të shkurtër përgatitore, e bën të vështirë fitoren e titullit gjatë kësaj vere. Brenda skuadrës janë Shvajnshtajger, Mertesaker, Klose dhe Gëtze, lojtarë që nuk janë në gjendjen më të mirë fizike dhe që zakonisht nevojiten për të fituar turne”, tha ish-portieri i Gjermanisë. Ai kritikoi drejtuesit e kombëtares të cilët nuk i kishin dhënë asnjëherë besim një portieri tjetër, duke u gjendur të papërgatitur në rast të një dëmtimi apo pezullimi të titullarit Nojer. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 June 2012 12:03