Oklahoma ka fituar 4-2 serinë finale në Konferencën e Perëndimit duke i rrëmbyer titullin kampion San Antonios, për të fituar të drejtën të shkojë në finalen e madhe të NBA që fillon javën e ardhshme.
Suksesi 107-99 ka qenë mëse i merituar për Oklahoman që ka përmbysur një disavantazh prej 18 pikësh në fundin e periodës së dytë, për të marrë kryesimin dhe më pas për të mbyllur ndeshjen. Si zakonisht, protagonisti kryesor i fitores së katërt radhazi për Oklahoma ishte Kevin Durant me 34 pikë e 14 topa në tabelë, i ndihmuar nga 25 pikët e Rasëll Uestbruk.
Nga ana tjetër, San Antonio duhet të fajësojë veten se si la t’i iki nga duart trofeu i Perëndimit dhe mundësia për të shkuar në finale, pasi kryesonte 2-0 serinë dhe dukej se ishte favorite kryesore për triumfin. Tim Dankan shënoi 25 pikë e 14 topa në tabelë, Toni Parker shtoi 29 pikë e 12 pasme ndërsa veterani Stefen Xhekson shtoi 23 pikë, por teksanët gjithsesi nuk arritën të mundnin ekipin që pritet të dominojë NBA në sezonet e ardhshme dhe që me shumë mundësi i ka dhënë fund një cikli të suksesshëm shumëvjeçar të San Antonios.
Si për ironi të fatit, Oklahoma arrin në finalen e madhe të NBA pasi ka mundur tre skuadrat e vetme të Perëndimit që kanë arritur në këtë pikë të sezonit që nga viti i largët 1998. Ata kanë mundur Dallas në raundin e parë, LA Leikërs në të dytin dhe tani San Antonio në të tretin. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 June 2012 09:20