Trajneri i Anglisë, Roi Hodgson, ka treguara ato që sipas tij janë pikat më të forta të Francës, duke vënë në vendin e parë fazën ofensive të “gjelave”, rivali i parë i kombëtares së tij në Euro 2012.
Franca ka në dispozicion disa lojtarë shumë të talentuar në repartin e avancuar ku rreshtohen emra si Riberi, Nasri, Benzema, Zhirud apo Menez. Sipas Hodgson, prapavija e skuadrës së tij duhet të jetë perfekte që të arrijë të anulojë plotësisht sulmin kundërshtar.
“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për sasinë e talentit që ata kanë kur dalin përpara. Ata kanë disa futbollistë shumë të talentuar të cilët janë shumë të zotë në ofensivë. Në zonën e rreptësisë kundërshtare dhe përreth saj, ata kanë lojtarë të cilët janë të aftë të kalojnë kundërshtarët dhe të sigurojnë hapësira për gjuajtje në portë”.
Por sipas tij, Anglia mund ta shfrytëzoj këtë mënyrë loje të francezëve në favorin e saj për të arritur të fitojë këtë ndeshje shumë të rëndësishme ndaj rivalit më të fortë në grup.
“Duhet të sigurohemi që sulmet e tyre të thyhen shpejt dhe ndoshta të përdorim disa nga hapësirat që ata lënë kur dy mbrojtësit e krahut dalin shumë para, siç ka ndodhur në dy ndeshjet e fundit që kanë luajtur. Kur Debushi dhe Evra luajnë shumë, shumë lart, duhet të sigurohemi që të shfrytëzojmë në maksimum këto hapësira”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 19:01