Trajneri i Ukrainës, Oleg Bllohin, ka treguar se skuadra që organizon Euro 2012 ka patur shumë probleme për shkak të një helmimi që kanë pësuar lojtarët e saj.
Turqia mundi Ukrainën në miqësoren e të martës me rezultatin 2-0 falë golave të Erkin dhe Pektemek, por Bllohin ishte qartësisht më i shqetësuar për shëndetin e futbollistëve të tij, pasi mendonte për sfidën të hënës ndaj Suedisë në Euro 2012.
Është mësuar se mesfushori Anatoli Timoshçuk është në spital dhe ka të njëjtat simptoma helmimi si sulmuesi Andrei Voronin.
“Timoshçuk është ende në gjendje të keqe, vazhdon të trajtohet me serume”, tregoi Blohin pas ndeshjes.
“Nuk ka asgjë për të qeshur nga kjo situatë. Na duhet të presim vendimin e doktorëve për gjendjen e tij dhe situata për ne është shumë larg asaj komike. Nuk e di arsyen për këtë sëmundje që goditi ekipin, pasi të gjithë hëngrëm ushqime të ndryshme. Kemi vetëm një javë kohë për të riaftësuar futbollistët tanë dhe mund të themi që jemi me fat që kjo nuk ndodhi ditën para ndeshjes me Suedinë”.
Mbrojtësi Bohdan Butko dhe mesfushori Denis Garmash ishin mes futbollistëve që kanë pësuar helmim nga ushqimi, por ata pranuan të luanin në këtë ndeshje. “Nëse Butko dhe Garmash do të refuzonin të luanin, unë do ta kisha anuluar miqësoren për mungesë lojtarësh”, konfirmoi Bllohin. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 13:20