Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, beson se Portugalia ka talentin e mjaftueshëm brenda skuadrës për të synuar suksesin në Euro 2012. Kombëtarja që drejtohet nga Paulo Bento, është vënë në “grupin e vdekjes”, përkrah Gjermanisë, Holandës dhe Danimarkës.
Ndonëse portugezët kanë përballë tyre dy prej ekipeve pretendente për fitoren e trofeut, Venger mendon se finalistët e vitit 2004 i kanë të gjitha mundësitë të shkëlqejnë në aktivitetin që zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
“Ylli i Portugalisë është padyshim Kristiano Ronaldo, por ata kanë gjithashtu edhe Nani, ata kanë lojtarë të tjerë shumë cilësorë. Mendoj se mund të bëjnë surprizë. Por për shkak se nuk janë paraqitur mirë në turnetë e fundit, njerëzit nuk i shohin si favoritë”, tha ai.
Ndonëse Venger vlerëson Portugalinë, ai përsëri mendon se për momentin më të favorizuar për të kaluar grupin janë skuadrat e Gjermanisë dhe Holandës.
“Me këtë grup është si të hedhësh lart një monedhë për të vendosur se kush kalon. Holanda është favoritja e dytë për suksesin në turne, bashkë me Gjermaninë, pas Spanjës. Ndaj të dy skuadrat do të jenë favorite për të kaluar grupin”.
“Meqenëse në Kampionatin Botëror të dy viteve më parë, njëra ishte finaliste dhe tjetra doli e treta, je i detyruar të thuash që këto dy skuadra do të kalojnë në fazën tjetër”, ishte komenti i Venger. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 18:34